Shqipëri-BE: Procesi i integrimit dhe pritshmëritë për vitin 2027
Dëshira e shqiptarëve për anëtarësimin në Bashkimin Europian mbetet e madhe, ndërsa procesi i plotësimit dhe vlerësimit të detyrave vijon, por me ritme më të ngadalta nga sa ishte parashikuar.
Edhe pse synimi ishte që brenda këtij viti të mbylleshin disa kapituj, sipas burimeve të A2 CNN brenda mazhorancës qeverisëse, gjatë presidencës irlandeze pritet që në dhjetor të përfundojë vetëm kapitulli 31.
Nëse Shqipëria merr dritën jeshile, pritet të përmbyllet edhe grupkapitulli i gjashtë, që lidhet me politikën e jashtme. Për këtë fushë, nga Brukseli është vlerësuar që në fillim se Shqipëria nuk paraqet problematika të rëndësishme.
Me ritmin e presidencës irlandeze, procesi nuk ka avancuar me shpejtësinë e shpresuar. Për këtë arsye, Shqipëria po i vendos pritshmëritë te Presidenca Lituaneze, e cila do të marrë drejtimin e BE-së në gjysmën e parë të vitit 2027.
Sipas të njëjtave burime, synimi është që në shkurt të vitit të ardhshëm të zhvillohet konferenca ndërqeveritare për dy kapituj: kapitullin 19, që lidhet me “Politikat Sociale dhe Punësimin”, dhe kapitullin 32, “Kontrolli Financiar”.
Në korrik të këtij viti, Shqipëria mbylli tre kapituj nga 33 gjithsej. Pavarësisht ritmit të procesit, kryenegociatorja shqiptare shprehet e bindur se në vitin 2028 do të nisë hartimi i Traktatit të Anëtarësimit, periudhë që përkon edhe me marrjen e presidencës së BE-së nga Italia.
Përveç tryezave ndërqeveritare dhe përmbushjes së kushteve nga ana e Shqipërisë, qeveria shpreson që edhe modeli i ri i zgjerimit të Komisionit Europian të kontribuojë në përshpejtimin e procesit të integrimit.
