Skip to content

Rama tërhiqet pas presionit, merr vendimin që prisnin shqiptarët

Edi Rama njofton shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike: Po hartohet një ligj i ri sipas standardeve të BE-së

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur gjatë Konferencës së 9-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian se ligji për investimet strategjike do të shfuqizohet dhe se qeveria shqiptare, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, po punon për hartimin e një ligji të ri.

“Na duhet të shfuqizojmë ligjin për investimet strategjike, pasi ai e ka përmbushur misionin e tij. Po punojmë ngushtë me Komisionin Evropian për një ligj të ri, i cili do të jetë në përputhje me të gjitha standardet europiane dhe do të korrigjojë çdo element që nuk përputhet me këto standarde”, deklaroi Rama.

Kryeministri sqaroi se shfuqizimi nënkupton anulimin e ligjit aktual dhe jo thjesht ndryshime të pjesshme. Ai foli gjithashtu për ligjin për zonat e mbrojtura, duke theksuar se do të trajtohen disa pjesë të tij për t’u përshtatur me kërkesat e Bashkimit Evropian.

Gjatë konferencës u zyrtarizua edhe mbyllja e negociatave për tre kapituj të rëndësishëm të procesit të integrimit: Kapitulli 25 për Kërkimin Shkencor, Kapitulli 26 për Arsimin dhe Kulturën, si dhe Kapitulli 31 për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ligji për investimet strategjike u miratua në vitin 2015 dhe kishte si qëllim nxitjen e investimeve të mëdha vendase dhe të huaja në Shqipëri.

Edhe Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria dhe BE-ja kishin rënë dakord që përpara nisjes së protestave të bëheshin ndryshime në dy ligje të debatueshme: ligjin për zonat e mbrojtura të vitit 2024 dhe ligjin për investimet strategjike.

Sipas saj, këto ndryshime janë të domosdoshme për të përmbushur kriteret europiane, veçanërisht ato që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe Kapitullin 27 të negociatave.

Kos theksoi se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian nuk është në rrezik dhe se mbyllja e tre kapitujve të negociatave është dëshmi e progresit.

Ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e protestave në një demokraci dhe u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të marrin parasysh kërkesat e qytetarëve.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *