Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestat e dhunshme që prej ditësh po zhvillohen në Tiranë. Ai i ka cilësuar tubimet si të rrezikshme, ndërsa ka pretenduar se pas tyre qëndron “dora e një matufi maniak me një biografi të pasur me zjarrvënie e me gjakderdhje”.
Në reagimin e tij në Facebook, Rama është ndalur edhe te plagosja e 28-vjeçarit Erjon Vishkullit, i cili mbeti i dëmtuar në sy gjatë protestave. Kreu i qeverisë ka shprehur keqardhje për ngjarjen, duke theksuar se dhuna në tubime mund të sjellë pasoja të rënda për pjesëmarrësit.
Kryeministri ka bërë të ditur se është angazhuar personalisht për sigurimin e trajtimit mjekësor të të riut në një spital në Itali. Sipas tij, është organizuar gjithashtu transporti i 28-vjeçarit me një avion çarter mjekësor.
Në vijim të reagimit, Rama ka kritikuar ata që, sipas tij, po përdorin rastin e të riut të plagosur për të nxitur më tej tensionet dhe dhunën. Ai ka drejtuar akuza ndaj organizatorëve dhe mbështetësve të protestave, duke deklaruar se ata do të përballen me reagimin e qytetarëve shqiptarë.
**Reagimi i plotë i Edi Ramës:**
“Pjesëmarrja në protestat e dhunshme është sigurisht e rrezikshme edhe për vetë dhunuesit dhe ata që rrinë rrotull tyre, aq më tepër kur dihet tanimë edhe botërisht që në këto protesta është edhe dora e një matufi maniak me një biografi të pasur me zjarrvënie e me gjakderdhje.
Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?!
Kjo është një pyetje retorike dhe lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, po mbi të gjitha për nxitësit e dhunës që propagandojnë nga ekranet e korruptuara televizive dhe nga pasqyrat e tyre sociale apo më zi akoma që paguajnë për mish për top lloj-lloj individësh, nga kriminelë, te djem të paditur e deri te fëmijë të mitur.
Pasi jam marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor, u them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën.
Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit!
Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së malkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend sheh dritë!
Po këtë herë jeni të humbur, sepse drita e Shqipërisë është sot ku e ku më e madhe se sa errësira dhe ju jeni gjithnjë e më pak, prandaj edhe po dhunoni, digjni e shkatërroni me urrejtjen e pangushëllueshme të asaj dore, por duke ua kujtuar më mirë se kurrë shqiptarëve se kush jeni.
Dhe shqiptarët s’do t’ua falin. Prisni dhe shikoni”, tha Rama.
