Skip to content

Rasti “Capat vs Sekiraqt”: Vesel Bunjaku dënohet me 7 muaj burg dhe 2 mijë euro gjobë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin ndaj Vesel Bunjakut, duke e dënuar me shtatë muaj burgim efektiv dhe 2 mijë euro gjobë në kuadër të rastit “Capat vs Sekiraqt”.

Bunjaku është dënuar me shtatë muaj burgim për veprën penale “Manipulimi me prova”, ndërsa për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” është dënuar me 2 mijë euro gjobë.

I akuzuari kishte pranuar fajësinë për të dyja veprat penale gjatë seancës së 26 gushtit 2026.

Sipas vendimit të gjykatës, në kohëzgjatjen e dënimit me burgim do të përfshihet edhe periudha që Bunjaku ka kaluar në paraburgim, nga 11 shtatori 2024 deri më 11 prill 2025.

Aktgjykimi është shpallur nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Fatime Dermaku, me anëtarët Ertan Sejfullah dhe Altin Murseli. Në momentin e shpalljes së vendimit, në sallën e gjyqit ishte i pranishëm vetëm Bunjaku.

Rasti lidhet me ngjarjen e 1 shtatorit 2024, kur rreth orës 21:42, pas një përplasjeje me armë zjarri mes dy grupeve, Bunjaku dyshohet se kishte marrë dy pistoleta me qëllim të largimit dhe manipulimit të provave.

Sipas aktakuzës, bëhej fjalë për dy pistoleta gjysmë-automatike. Njëra dyshohej se ishte në posedim të Salih Sekiraqës, ndërsa tjetra se ishte përdorur nga Fatos Abazi.

Prokuroria kishte pretenduar se, bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit, Bunjaku shihet duke dalë në drejtim të tarracës me të dyja armët në duar. Pas pak kohe, ai është kthyer në lokal pa armët, të cilat më vonë janë gjetur në pjesën e pasme të objektit.

Për këto veprime, Bunjaku ishte akuzuar për “Manipulim me prova”, sipas nenit 389, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Ndërsa, për posedimin dhe vendosjen e dy armëve në pjesën e pasme të lokalit, ndaj tij ishte ngritur aktakuzë edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, sipas nenit 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Published inNews Shqip