“Rinia Nacionaliste” synon të kthehet në parti politike, studentët organizohen pas protestave
Grupime studentësh të dala nga protestat po organizohen në forma të ndryshme, me synimin për të ofruar një alternativë të re politike. “Rinia Nacionaliste” është një prej tyre, e cila synon të shndërrohet në një forcë politike.
“Dëshira për ndryshimin e sistemit po kanalizohet tashmë nga dalja në shesh drejt një lëvizjeje politike.
Ne aktualisht nuk jemi në stadin e partisë, por duam të arrijmë në atë pikë. Pra, duam t’i shfaqim popullit tonë realitetin dhe t’i tregojmë se ne jemi opozita e vërtetë”, deklaroi Besart Capa, anëtar i “Rinisë Nacionaliste”.
Grupimi që synon të shndërrohet në një parti politike nuk ka emëruar ende një kryetar, por deri më tani numëron rreth 300 anëtarë. Bërthama e tij përbëhet nga 15 studentë, të cilët janë njohur gjatë protestave.
Laura Kërtalli, përfaqësuesja dhe drejtuesja e kësaj force të re, ka zhvilluar së fundmi një takim me zyrtarë të Bashkimit Europian në Shqipëri. Besart Capa, pjesë e “Rinisë Nacionaliste”, tregon për bisedën me ta.
“Takimi me ta ishte për t’u bërë me dije se në Shqipëri ka lindur një frymë e re, e cila në të ardhmen kërkon të bëhet faktor politik. Ata thanë se duhet t’i përshpejtojmë hapat për të arritur të bëhemi parti politike, në mënyrë që ata ta kenë më të lehtë bashkëpunimin me një parti të mirëfilltë”, deklaroi ai.
Një tjetër përpjekje e dalë nga protestat për të nxjerrë në pah figura jopartiake që i duhen vendit është edhe Lista Studentore.
LS është krijuar online nga një profesionist i teknologjisë, i cili ka preferuar të mos identifikohet. Ai ka ngritur një platformë digjitale ku propozohen emra me peshë publike, të cilët votohen nga shqiptarët përmes një llogarie të verifikuar në Google. Deri më tani, platforma ka regjistruar mbi 17 mijë vota.
I pyetur përmes email-it se për çfarë do të shërbejë lista me figurat e votuara, krijuesi i saj shpjegon:
“Lista Studentore lindi nga dëshira për të krijuar një hapësirë ku qytetarët të propozojnë persona që vlerësojnë, të shprehin mbështetjen për ta dhe të diskutojnë ide për të ardhmen. Shpesh dëgjojmë që ‘s’ka njerëz të mirë’ ose që ‘zgjedhja është mes të njëjtëve’. Qëllimi është që diskutimi të shkojë përtej pakënaqësisë dhe të përfshijë propozime konkrete. Lista nuk është listë zyrtare kandidatësh për zgjedhje”.
Lista Studentore po funksionon në formën e një sondazhi. Megjithatë, ndonëse nuk përjashtohet ideja e përgatitjes për një fushatë elektorale, sqarohet se rregullat për kandidim kërkojnë një proces tjetër. (TCH)
