Një sondazh i zhvilluar nga grupi mediatik “Panorama Group” ka matur opinionin e qytetarëve mbi emrin që ata do të preferonin të drejtonte një qeveri tranzitore.
Debati për krijimin e një qeverie të tillë është intensifikuar gjatë javëve të fundit, ndërsa organizatorët e protestave që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama propozojnë ngritjen e një qeverie me mandat njëvjeçar, e cila, sipas tyre, do të kishte si mision organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të barabarta.
Sondazhi është realizuar në disa qytete të vendit, duke përfshirë të anketuar të grupmoshave të ndryshme. Sipas rezultateve të publikuara, 80% e pjesëmarrësve shprehen në mbështetje të SPAK-ut, ndërsa 78% e tyre e konsiderojnë ish-drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani, si kandidatin më të përshtatshëm për të drejtuar një qeveri tranzitore.
Sipas sondazhit, kjo mbështetje lidhet me perceptimin e qytetarëve për rolin e Dumanit në luftën kundër korrupsionit dhe hetimin e zyrtarëve të lartë. Gjatë kohës që drejtoi Prokurorinë e Posaçme, ai u angazhua në një sërë hetimesh ndaj ish-ministrave, ministrave dhe funksionarëve të tjerë të nivelit të lartë, si edhe në çështje që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Be First to Comment