Skip to content

Sinjal pozitiv për Ramën, Ursula von der Leyen vjen në Shqipëri në fund të shtatorit :

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të zhvillojë një vizitë treditore në Ballkanin Perëndimor, nga 30 shtatori deri më 2 tetor. Në kuadër të turit të saj, ajo do të vizitojë edhe Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë vizitës, von der Leyen do të ndalet në Tiranë, Prishtinë, Podgoricë dhe Shkup, ku pritet të zhvillojë takime me krerët e shteteve dhe qeverive. Ajo gjithashtu do të vizitojë projekte të financuara nga Bashkimi Evropian.

Fokusi i takimeve do të jetë procesi i integrimit evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor, hapat e mëtejshëm drejt anëtarësimit dhe zbatimi i integrimit gradual të mbështetur nga Plani i Rritjes për rajonin.

“Bashkimi ynë nuk do të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar më herët von der Leyen gjatë samitit BE–Ballkani Perëndimor në qershor.

Në këtë kuadër, Shqipëria po synon të avancojë më tej në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian. Sipas burimeve të cituara në raportime, Tirana synon që gjatë gjysmës së parë të vitit 2027 të zhvillojë konferenca ndërqeveritare për kapitullin 19, “Politikat Sociale dhe Punësimi”, dhe kapitullin 32, “Kontrolli Financiar”.

Krahas përmbushjes së kushteve dhe hapave të nevojshëm në procesin e negociatave, qeveria shqiptare shpreson që modeli i ri i zgjerimit të Bashkimit Evropian të krijojë mundësi për përshpejtimin e procesit të integrimit.

Vizita e von der Leyen pritet të shërbejë gjithashtu si një mundësi për të diskutuar progresin e vendeve të rajonit dhe prioritetet e tyre në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Published inNews Shqip