Skip to content

Stuhi dhe reshje të dendura në Shqipëri, Mbrojtja Civile paralajmëron: Ja zonat në rrezik

Paralajmërim për reshje intensive në Shqipëri, rrezik për përmbytje në disa qarqe

 

Reshjet e dendura të shiut pritet të përfshijnë disa zona të Shqipërisë, duke rritur rrezikun për vërshime uji, përmbytje lokale dhe rrëshqitje të dherave. Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, zonat më të prekura pritet të jenë qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës.

 

Gjatë pasdites së 8 tetorit dhe ditës së 9 tetorit, në Shkodër dhe Lezhë parashikohen reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa në qarkun e Durrësit priten reshje intensive.

 

Ndërkohë, në qarqet Kukës, Dibër dhe Tiranë, reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive. Në pjesën tjetër të vendit, pritet që ato të paraqiten kryesisht me intensitet të dobët deri mesatar.

 

Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, reshjet në disa zona do të shoqërohen me shtrëngata, çka mund të sjellë grumbullime të ujit në zonat urbane, përmbytje të lokalizuara dhe rrëshqitje të dherave, veçanërisht në Shkodër, Lezhë dhe Durrës.

 

Përballë kësaj situate, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin zonat me rrezik të lartë.

 

Autoritetet këshillojnë që qytetarët të mos afrohen pranë lumenjve dhe përrenjve, të shmangin zonat e rrezikuara nga përmbytjet dhe të mos kalojnë me automjete apo në këmbë në rrugë të mbuluara nga uji.

Published inNews Shqip