Një 25-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pasi u qëllua me armë zjarri gjatë një tentative grabitjeje në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos, Itali.
Sipas mediave italiane, i riu dyshohet se kishte hyrë së bashku me disa persona të tjerë në një banesë në rinovim, me qëllim grabitjen. Ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit.
Pronari 35-vjeçar i banesës, i cili ndodhej vetëm në shtëpi, është zgjuar pasi ka dëgjuar zhurma. Ai ka marrë armën që e posedonte me leje dhe ka qëlluar në drejtim të personave që dyshohet se kishin hyrë në pronën e tij.
Menjëherë pas të shtënave, pronari ka njoftuar policinë. Ekipet e emergjencës kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë tentuar t’i japin ndihmën e nevojshme të riut, por ai nuk ka mundur të mbijetojë.
Policia italiane ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.
