Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, u ka bërë thirrje socialistëve që në mbledhjen e strukturave drejtuese të Partisë Socialiste të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, kjo do të ishte një mundësi e rëndësishme për të vendosur interesin e vendit mbi atë partiak.
Malaj theksoi se mbledhja mund të shërbejë si një moment reflektimi për Partinë Socialiste, duke kujtuar periudhën e vitit 2005 kur partia përjetoi ndryshime të rëndësishme të brendshme.
Në një intervistë për A2 CNN, ai u shpreh se mesazhet e fundit nga institucionet ndërkombëtare financiare dhe Bashkimi Evropian tregojnë qartë se çdo ndërhyrje apo pengim i drejtësisë konsiderohet i papranueshëm dhe mund të ndikojë negativisht në rrugën europiane të Shqipërisë.
Sipas Malajt, mungesa e ndryshimeve në situatën aktuale politike mund të krijojë vështirësi serioze në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian. Ai paralajmëroi se një situatë e tillë mund të dëmtojë progresin e vendit drejt integrimit.
Malaj shtoi se brenda grupit parlamentar socialist mund të ketë deputetë të gatshëm të ndikojnë në vendimmarrje, veçanërisht në çështje që lidhen me ndryshimet ligjore dhe kushtetuese. I pyetur për emra konkretë, ai preferoi të mos komentojë, duke shprehur besimin se disa prej tyre do të veprojnë sipas përgjegjësisë së tyre ndaj vendit.