Vrasja e 36-vjeçarit me origjinë shqiptare, Gjovalin Lazri, në provincën e Cuneos në Itali, ka shkaktuar reagimin e partneres së tij, e cila kërkon që autoritetet të zbardhin plotësisht rrethanat e natës kur ai humbi jetën.
Përmes avokates së saj, gruaja ka kundërshtuar gjykimet e bëra në lidhje me viktimën pas ngjarjes, duke theksuar se askush nuk mund të konsiderohet se e meriton vdekjen.
“Dëgjojmë dhe lexojmë shumë gjëra, por dua të them se nuk ekzistojnë njerëz të mirë dhe njerëz të këqij. Nuk ka njerëz që meritojnë të vdesin apo njerëz ndaj të cilëve është e drejtë të qëllohet”, është shprehur ajo.
Partnerja e Lazrit, me të cilin kishte një fëmijë, ka folur edhe për dhimbjen që ka lënë pas vdekja e 36-vjeçarit.
“Djali im nuk ka më baba dhe unë jam e shkatërruar nga dhimbja. Dua që e gjithë e vërteta të dalë në dritë. Kërkoj vetëm që drejtësia të bëjë punën e saj”, ka deklaruar ajo.
Ngjarja ndodhi gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës në Baldissero d’Alba. Sipas raportimeve, rasti lidhet me një banesë në proces rikonstruksioni, e cila dyshohet se ishte bërë objekt i një tentative vjedhjeje.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria italiane ka regjistruar si person nën hetim 35-vjeçarin Roberto Mollo, pronarin e objektit. Ai po hetohet për vrasje me dashje, ndërsa hetimi pritet të përcaktojë dinamikën e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësitë penale.
Gjovalin Lazri kishte emigruar nga Shqipëria drejt Italisë dhe jetonte me familjen në veri të Torinos. Ai punonte si barist.
Pas ngjarjes, persona që e njihnin kanë shprehur habinë për atë që kishte ndodhur. Fqinjët e kanë përshkruar familjen si të rezervuar dhe pa probleme të njohura në zonë.
“Një familje e mirë, shumë e rezervuar. Nuk dimë shumë për ta, flasin pak, i shohim gjithmonë me fëmijën. Por nuk ka pasur kurrë probleme”, kanë deklaruar disa prej tyre.
Edhe një klient i lokalit ku punonte Lazri ka thënë se ishte befasuar nga raportimet për rrethanat e ngjarjes.
“Më vjen keq, nuk e dija që merrej me këto gjëra, më duket e çuditshme. Nuk e prisja”, është shprehur ai, duke iu referuar pretendimeve se 36-vjeçari mund të kishte qenë i përfshirë në tentativën e vjedhjes.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të rindërtuar me saktësi atë që ndodhi dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë.
