Tragjedi në Itali, 42-vjeçarja shqiptare humb jetën në aksident para syve të vajzës së saj
Është publikuar fotografia e 42-vjeçares shqiptare, Lavdije Isteri nga Durrësi, e cila humbi jetën tragjikisht mëngjesin e së premtes në San Donà di Piave, pranë Venecias. Ajo ishte nënë e tre fëmijëve.
Aksidenti fatal ndodhi pak para orës 08:00, në kryqëzimin e rrugëve Passarella dhe Paolo VI, teksa gruaja po shoqëronte vajzën e saj 9-vjeçare për në shkollë.
Sipas raportimeve të mediave italiane, kamioni i mbledhjes së mbeturinave po kryente një kthesë djathtas drejt një rruge dytësore, kur përplasi 42-vjeçaren. Përplasja rezultoi fatale dhe vdekja e saj ishte e menjëhershme.
Vajza e mitur ndodhej pranë nënës së saj dhe dëshmoi ngjarjen tragjike. Sipas dëshmitarëve, 9-vjeçarja kishte kaluar pak metra përpara dhe kishte hyrë në rrugicë, duke shpëtuar nga përplasja.
Në vendngjarje mbërritën ekipet e urgjencës dhe zjarrfikësit. Për nxjerrjen e viktimës, autoritetet përdorën një vinç për të ngritur kamionin, por fatkeqësisht nuk mund të bënin më asgjë për të.
Një nënë që ndodhej pranë shkollës tregoi momentet e tmerrshme:
> “Po i shoqëroja fëmijët e mi në shkollë kur pashë shumë nëna që vrapuan drejt fundit të rrugës. Kur mbërritëm, pamë tragjedinë. Fatmirësisht, vajza ishte pak më përpara nënës dhe e kishte kaluar rrugicën.”
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe te komuniteti shqiptar dhe banorët e zonës. Në shkollën fillore “Marco Polo”, ku mësonte vajza e viktimës, nxënësit nuk dolën në pushimin e madh, ndërsa prindërit u larguan të prekur nga ajo që kishte ndodhur.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.
