**Tiranë, humb jetën 49-vjeçari pas plagosjes me mjet prerës**
Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në Tiranë, ku një 49-vjeçar ka humbur jetën pasi u plagos me mjet prerës.
Sipas Policisë së Tiranës, viktima, Kreshnik Cara, u dërgua për ndihmë mjekësore në spital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Marko Boçari”, pranë Liqenit Artificial dhe në afërsi të gjimnazit “Sami Frashëri”. Nga të dhënat paraprake dyshohet se 49-vjeçari është përfshirë në një konflikt fizik me një person tjetër, gjatë të cilit është përdorur një mjet prerës.
Policia ka shoqëruar dhe arrestuar një 50-vjeçar, banues në zonën ku ndodhi ngjarja, i cili dyshohet se është përfshirë në konflikt.
Grupi hetimor vijon punën për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore. Hetimet janë në vijim.
