Një 17-vjeçar irlandez ka humbur jetën tragjikisht gjatë pushimeve në Greqi, pasi dyshohet se u godit nga rryma elektrike teksa po bënte dush në një banesë të marrë me qira në ishullin Kimolos, në Detin Egje.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 9 gusht. Sipas autoriteteve greke, i riu u rrëzua menjëherë pas goditjes elektrike, ndërsa dyshimet e para lidhen me një defekt në instalimet elektrike të banesës.
Policia ka nisur hetimet dhe ka kërkuar ekspertizë teknike për sistemin elektrik të shtëpisë. Dyshohet se instalimet nuk ishin rinovuar prej dekadash dhe se paneli elektrik mund të mos kishte pajisjet e nevojshme të sigurisë për ndërprerjen automatike të energjisë në rast anomalie.
Autopsia pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes, ndërsa burime spitalore kanë bërë të ditur se goditja elektrike mund të ketë shkaktuar arrest kardiak.
Familja e 17-vjeçarit kishte lidhje të forta me Kimolosit, pasi nëna e tij ishte me origjinë nga zona dhe familja e vizitonte rregullisht ishullin.
Kryebashkiaku i Kimolosit, Kostas Vendouris, tha se komuniteti i vogël, me më pak se një mijë banorë, është tronditur thellë nga kjo tragjedi.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes. Familjes i është dhënë gjithashtu mundësia të caktojë një ekspert të pavarur teknik për të ndjekur procesin hetimor.
