Menjëherë pas sulmeve të para ndaj Iranit, tregjet financiare reaguan me luhatje të forta, ndërsa çmimet e naftës dhe gazit shënuan rritje të menjëhershme.
Sipas The Guardian, nafta e papërpunuar Brent u rrit me rreth 5%, duke arritur në 77.86 dollarë për fuçi, ndërsa investitorët u shqetësuan për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Edhe bursat ndërkombëtare pësuan humbje. Indeksi FTSE 100 në Mbretërinë e Bashkuar ra me 1%, DAX i Gjermanisë humbi 1.6%, ndërsa Ibex i Spanjës u ul me 2%.
Në Shtetet e Bashkuara, Wall Street reagoi negativisht: S&P 500 ra me afro 0.5%, Dow Jones humbi 0.9%, ndërsa Nasdaq shënoi një rënie prej 0.3%.
Rënie u regjistruan edhe në tregjet aziatike. Nikkei i Japonisë mbylli ditën me 2.1% më pak, CSI 300 i Kinës ra me 0.77%, ndërsa Kospi i Koresë së Jugut pësoi një rënie të fortë prej 5.5%, i ndikuar edhe nga shitjet masive të aksioneve të kompanive të gjysmëpërçuesve.
Ndërkohë, rendimentet e obligacioneve qeveritare në eurozonë u rritën në nivelet më të larta të javëve të fundit, pasi rritja e çmimit të naftës shtoi frikën për rikthimin e inflacionit.
Obligacioni 10-vjeçar i Gjermanisë arriti një rendiment prej 3.034%, niveli më i lartë që nga mesi i korrikut, ndërsa edhe obligacionet afatshkurtra shënuan rritje. Në Mbretërinë e Bashkuar, rendimenti i obligacionit 10-vjeçar u ngjit në 4.94%.
Zhvillimet e fundit kanë shtuar pasigurinë në tregjet globale, ndërsa investitorët po ndjekin me vëmendje situatën dhe ndikimin që konflikti mund të ketë në ekonominë botërore.

Be First to Comment