Të shtëna me armë në Laç, humb jetën një 40-vjeçar
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së enjtes në Laç, ku një person ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është identifikuar si Ilir Lika, rreth 40 vjeç. Menjëherë pas njoftimit për të shtëna, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Shtetit dhe ekipet e urgjencës mjekësore, ndërsa zona është rrethuar dhe janë ngritur postblloqe për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta dhe hetimet vijojnë për të zbardhur motivin e plotë të ekzekutimit.
Sipas raportimeve, hetuesit po verifikojnë edhe të kaluarën e viktimës, e cila është përmendur më herët në disa dosje kriminale. Emri i Ilir Likës është përfolur si një nga personat e dyshuar për përfshirje në atentatin e 30 majit 2020 në Laç, ku humbën jetën biznesmenët Paulin Gjergji dhe Bujar Lika. Megjithatë, familjarët e tij kanë deklaruar më parë se ai nuk ka pasur asnjë lidhje me atë ngjarje.
Policia vijon hetimet dhe pritet të japë detaje të tjera zyrtare në vijim.
