Skip to content

URGJENTE/ Zjarri përhapet me shpejtësi në Himarë, flakët afrohen rrezikshëm pranë hoteleve

ZJARR I FUQISHËM NË HIMARË/ Flakët përhapen me shpejtësi, evakuohen banorët

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e së premtes zonën e bypass-it të Himarës, duke shkaktuar një situatë të rëndë dhe duke rrezikuar banesat dhe bizneset përreth.

Flakët, të favorizuara nga erërat e forta, janë përhapur me shpejtësi. Sipas raportimeve, disa banesa janë përfshirë nga zjarri, ndërsa pamjet nga vendngjarja tregojnë flakët që ngrihen mbi ndërtesat shumëkatëshe të strukturave hoteliere.

Për shkak të situatës së krijuar, Policia ka bllokuar qarkullimin në bypass-in e Himarës për t’u krijuar mundësi mjeteve të emergjencës të lëvizin dhe të ndërhyjnë në zonën e zjarrit.

Ndërkohë, pas njoftimit për evakuim, banorë dhe qytetarë të Himarës po largohen nga zonat ku flakët janë afruar pranë banesave dhe bizneseve. Bllokimi i bypass-it ka bërë që një pjesë e tyre të përdorin rrugë alternative.

Situata vijon të jetë kritike, ndërsa ekipet zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave po përpiqen të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit dhe të pengojnë përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Në Himarë kanë mbërritur edhe drejtues të lartë të strukturave të sigurisë, të cilët po ndjekin nga afër operacionin dhe po koordinojnë ndërhyrjen.

Në terren ndodhen Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, dhe Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Alushi.

Ndërkohë, pritet që në zonë të mbërrijnë edhe Ministri i Brendshëm dhe Ministri i Mbrojtjes, ndërsa rreziku për zonat e banuara mbetet i lartë.

Forcat zjarrfikëse, efektivët e emergjencave dhe strukturat mbështetëse vijojnë betejën me flakët, ndërsa erërat e forta dhe kushtet e vështira atmosferike po e bëjnë edhe më të vështirë ndërhyrjen.

Published inNews Shqip