Hashim Thaçi përballet me procesin e dytë në Hagë, ja kur pritet vendimi
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po përballet me një proces të dytë gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë. Në këtë çështje, ai akuzohet së bashku me Bashkim Smakajn, Hajredin Kuçin, Isni Kilanin dhe Fadil Fazliun për veprën penale që lidhet me “Pengimin e Administrimit të Drejtësisë”.
Për zhvillimet e fundit në këtë proces ka raportuar nga Haga gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, e cila ka dhënë detaje mbi fazën në të cilën ndodhet çështja.
Sipas saj, me përfundimin e fjalëve përfundimtare, procesi tashmë po hyn në fazën e vendimmarrjes. Kjo nënkupton se nuk priten më seanca të zakonshme ku do të paraqiten dëshmitarë apo prova të reja nga palët.
Mujku ka sqaruar gjithashtu se, ndërsa në rastin kryesor ndaj ish-krerëve të UÇK-së vendimi pritet më 16 shtator, procesi i dytë ndaj Thaçit dhe të bashkëakuzuarve mund të zgjasë edhe disa muaj.
Nëse trupi gjykues e konsideron procesin të mbyllur zyrtarisht, sipas rregullave të Dhomave të Specializuara, vendimi mund të merret brenda afatit të përcaktuar nga rregullorja.
Sipas afatit të përmendur nga gazetarja, vendimi për këtë çështje mund të shpallet deri më 14 dhjetor, nëse llogaritja e afatit nis nga përfundimi zyrtar i procesit.
Tashmë vëmendja mbetet te vendimet që do të merren nga gjyqtarët për të dyja çështjet ku përfshihet Hashim Thaçi.
