Në prag të vendimit që pritet të merret për masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, në emisionin “Top Story” është diskutuar situata e kryeqytetit dhe e ardhmja e drejtimit të Bashkisë së Tiranës.
Në panel ka qenë edhe avokati i Veliajt, ish-deputeti Plarent Ndreca, i cili është shprehur optimist se ditën e nesërme pritet lirimi i klientit të tij. Sipas tij, kuadri kushtetues përcakton se ndaj një personi të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët duhet të mbahet një ekuilibër mes nevojave të hetimit dhe të drejtës së zgjedhësve për t’u përfaqësuar nga personi që kanë votuar.
Ndreca iu referua edhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese dhe qëndrimeve të Komisionit të Venecias, duke argumentuar se në rastin e një kryetari bashkie, gjykata duhet të marrë në konsideratë edhe interesin publik që lidhet me funksionimin e institucionit.
“Gjykata ka detyrim që të marrë në shqyrtim jo vetëm një interes, por çdo interes kushtetues. Drejtimi i Bashkisë së Tiranës është një e drejtë kushtetuese. Kur shqyrtohet masa e sigurimit, duhet të merret në konsideratë edhe e drejta e kryetarit të Bashkisë dhe qytetarëve të Tiranës që të drejtohen nga personi që kanë zgjedhur”, deklaroi Ndreca.
Avokati kundërshtoi gjithashtu pretendimin se Veliaj mund të ndikojë te personat nën hetim apo të intimidojë dëshmitarë. Sipas tij, deri në këtë fazë nuk është paraqitur ndonjë provë konkrete që të mbështesë një dyshim të tillë.
Ndreca theksoi se arresti me burg është masa më e rëndë e sigurisë dhe se, përpara vendosjes së saj, duhet të ekzistojë një dyshim i arsyeshëm i mbështetur në prova konkrete. Ai pretendoi se një qëndrim i tillë është evidentuar edhe në arsyetimet e bëra nga një anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe gazetari Filip Çakulli. Ai argumentoi se, bazuar në informacionet e bëra publike deri më tani, provat e paraqitura nuk janë të mjaftueshme për të justifikuar arrestimin dhe vijimin e qëndrimit të Veliajt në qeli.
Sipas Çakullit, një pjesë e materialeve të bëra publike janë më shumë në nivel aludimesh sesa provash konkrete, ndërsa publikimi i disa telefonatave gjatë hetimit ka ngritur pikëpyetje të tjera.
Diskutimi zhvillohet në një moment të rëndësishëm për kryebashkiakun e Tiranës, pasi më 15 shtator pritet një vendim gjyqësor që mund të ndikojë në vijimin e masës së sigurisë ndaj tij, si dhe në mënyrën se si do të vijojë funksionimi i Bashkisë së Tiranës.
