Vapa afrikane rikthehet në Shqipëri, temperaturat pritet të arrijnë deri në 40°C
Shqipëria do të përfshihet sërish nga një valë e fortë e të nxehtit afrikan, e cila pritet të sjellë rritje të ndjeshme të temperaturave në të gjithë vendin gjatë ditëve në vijim.
Sipas sinoptikanes Lajda Porja, termometri do të shënojë një rritje graduale, ndërsa kulmi i vapës pritet të arrihet të dielën, kur temperaturat maksimale mund të prekin 39 deri në 40 gradë Celsius.
“Temperaturat do të rriten çdo ditë. Pas vlerave rreth 35 gradë, ato do të ngjiten në 37 dhe 38 gradë, ndërsa të dielën pritet të arrijnë deri në 39–40 gradë. Nga mesi i javës së ardhshme pritet një freskim i përkohshëm, por më pas masat e nxehta afrikane do të rikthehen”, është shprehur sinoptikania.
Sipas parashikimeve, temperaturat më të larta do të regjistrohen në qarqet e Shkodrës, Elbasanit, Beratit, Fierit, Gjirokastrës dhe Tiranës.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për një rrezik të shtuar të zjarreve, pasi kombinimi i temperaturave të larta me erën mund të favorizojë përhapjen e flakëve, veçanërisht në zonat e Lezhës dhe Vlorës.
Meteorologët parashikojnë se muaji korrik do të jetë më i nxehtë se mesatarja klimatike, ndërsa qytetarëve u rekomandohet të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Be First to Comment