GJKKO ndryshon masën e sigurisë për Taulant Tushen, lirohet nga arresti në shtëpi
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për ish-drejtorin e Bashkisë së Tiranës, Taulant Tushe. Me vendimin e fundit, masa e “arrestit në shtëpi” është zëvendësuar me “detyrim paraqitjeje”.
Tushe ndodhej në arrest shtëpie që prej muajit janar, pas një vendimi të mëparshëm të Apelit të GJKKO-së. Tashmë ai do të ndiqet në gjendje më të lehtësuar, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij vijon.
Ish-zyrtari është një nga personat e përfshirë në dosjen e njohur si “5D”, ku bashkë me ish-drejtorët Redi Molla dhe Mariglen Qato akuzohet për shkelje që lidhen me procedurat e prokurimeve publike në Bashkinë e Tiranës.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, në kohën kur ushtronte detyrën si drejtor i Planifikimit të Punëve Publike dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Tushe dyshohet se ka favorizuar kompaninë “5D Konstruksion” sh.p.k. në disa tenderë publikë.
Hetimet e SPAK pretendojnë se kompanisë i janë krijuar avantazhe të padrejta në garat për tenderë, duke u shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik.
Taulant Tushe u arrestua në mars të vitit 2024 me urdhër të SPAK. Përveç dosjes “5D”, ai po përballet edhe me një proces tjetër gjyqësor që lidhet me çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Be First to Comment