Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka përsëritur qëndrimin e tij se Serbia nuk do të heqë dorë nga pretendimet ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë pjesë të territorit serb sipas Kushtetutës së Serbisë dhe duke bërë thirrje që ushtria të jetë e gatshme për mbrojtjen e interesave kombëtare.
Gjatë ceremonisë së gradimit të kadetëve të rinj të Forcave të Armatosura të Serbisë, të mbajtur në kazermën “Gjenerali Jovan Mishkoviq” në Banjicë, Vuçiç deklaroi se ruajtja e paqes mbetet prioritet, por theksoi se ushtria duhet të jetë e përgatitur për çdo sfidë.
“Duhet të jemi gjithmonë mjaftueshëm të fortë për të ruajtur vendin tonë. Kosova dhe Metohia është pjesë e atdheut tonë sipas Kushtetutës dhe ne duhet ta mbrojmë atë, pa sulmuar dhe pa kërcënuar askënd”, u shpreh Vuçiç.
Në fjalën e tij, presidenti serb kritikoi edhe bashkëpunimin ushtarak mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke pretenduar se në rajon po krijohen aleanca kundër Serbisë. Sipas tij, ky zhvillim ka shtyrë Beogradin të investojë më shumë në modernizimin dhe pajisjen e ushtrisë.
Vuçiç deklaroi gjithashtu se Ushtria e Serbisë është sot më e pajisur se më parë dhe se investimet në sektorin e mbrojtjes synojnë forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit. Ai përgëzoi kadetët për përfundimin e Akademisë Ushtarake dhe i inkurajoi të kryejnë me përgjegjësi detyrat e tyre.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian reagoi ndaj deklaratës së ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila kishte deklaruar se, po të ishte në vend të ish-presidentit Sllobodan Millosheviç në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik, duke nënvizuar se deklarata të tilla bien ndesh me vlerat themelore të Bashkimit Evropian dhe me angazhimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Edhe komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, e dënoi deklaratën, duke u shprehur se për retorikë të tillë duhet të ketë “zero tolerancë”. Ajo tha se shpreson që bëhet fjalë për një qëndrim individual dhe jo për pozicionin zyrtar të Qeverisë së Serbisë.


Be First to Comment