Një 36-vjeçar me inicialet M.S., i cili ishte raportuar i zhdukur para më shumë se dy javësh në Stacionin Policor në Leposaviq, është gjetur sot nga Policia e Kosovës në zonën e Deçanit.
Sipas familjarëve, ai kishte pasur herë pas here probleme të natyrës psikike. Në kontaktin e fundit me familjen, ai ndodhej në Serbi dhe kishte deklaruar se do të kthehej në Kosovë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se menjëherë pas raportimit janë ndërmarrë veprime hetimore dhe janë njoftuar të gjitha stacionet policore dhe pikat kufitare. Hetimet kanë zbuluar se 36-vjeçari kishte hyrë në Kosovë më 28 prill 2026 dhe po atë ditë kishte qëndruar në Manastirin e Deçanit, për t’u larguar më pas në drejtim të panjohur.
Pas koordinimit mes njësive policore dhe kërkimeve në terren, sot rreth orës 10:00, patrullat policore në Deçan kanë arritur ta lokalizojnë dhe ta gjejnë personin në zonën e Deçanit.
Familjarët janë njoftuar menjëherë për rastin, ndërsa sipas informacioneve të para, gjendja e tij shëndetësore është stabile.