Tetë persona kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalet universitare të Tiranës, pas lëndimeve të pësuara gjatë protestës së sotme. Mes të lënduarve janë një deputet, një efektiv policie, dy përfaqësues të medias dhe katër protestues.
Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, gjashtë prej tyre janë paraqitur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT): një deputet, një përfaqësuese e medias dhe katër protestues.
Ministria bën me dije se të gjashtë personat kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe më pas janë larguar nga spitali.
Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) kanë marrë ndihmë mjekësore edhe një efektiv policie dhe një tjetër përfaqësues i medias.
