Ndërsa në Tiranë po mbahet protesta e radhës kundër qeverisë së Edi Ramës, Dogana Shqiptare ka njoftuar për një rritje të fluksit të lëvizjeve në pikën kufitare të Muriqanit, në kufirin me Malin e Zi.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë fundjavës është vërejtur një numër më i lartë i shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kalojnë kufirin, si në hyrje, ashtu edhe në dalje të territorit shqiptar.
Përballë kësaj situate, autoritetet doganore bëjnë të ditur se kanë marrë masat e nevojshme për të garantuar funksionimin normal të procedurave, për të lehtësuar lëvizjen e udhëtarëve dhe për të shmangur vonesat, pa cenuar kontrollet kufitare.
“Gjatë fundjavës, në Pikën Kufitare Muriqan është regjistruar fluks i shtuar i lëvizjes së shtetasve shqiptarë dhe të huaj, si në hyrje, ashtu edhe në dalje të territorit shqiptar. Autoritetet doganore janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar mbarëvajtjen e procedurave doganore, lehtësimin e kalimit në kufi dhe shmangien e vonesave, duke siguruar njëkohësisht respektimin e të gjitha procedurave të kontrollit”, thuhet në njoftimin e Doganës Shqiptare.
