Avioni i përfshirë në aksidentin në Miami ishte një Boeing 767-300, i prodhuar në vitin 1994, sipas të dhënave të Cirium. Mjeti fluturues ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar Luis Muñoz Marín në San Juan të Porto Rikos dhe kishte si destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit.
Pas ngjarjes, autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e aksidentit. FAA ka bërë të ditur se pistat e aeroportit të Miamit nuk janë të pajisura me sistemin EMAS, një teknologji e posaçme që shërben për të ndaluar avionët në rast se tejkalojnë fundin e pistës.
Ky sistem përdor një material të projektuar për t’u thërrmuar nën peshën e avionit, duke ndihmuar në uljen e shpejtësisë dhe shmangien e pasojave më të rënda. Instalimi i EMAS është rekomanduar prej vitesh nga autoritetet amerikane, por përdorimi i tij nuk është i detyrueshëm dhe aeroportet mund të aplikojnë edhe masa të tjera sigurie.
Ndërkohë, në rrjetet sociale është publikuar edhe një tjetër video e avionit gjatë uljes. Në pamje vërehet se njëra prej rrotave të pjesës së pasme duket se nuk prek pistën në mënyrën e zakonshme. Kjo ka nxitur diskutime rreth afrimit dhe uljes së avionit, por deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar se ky detaj ka lidhje me shkakun e aksidentit.
Bilanci i ngjarjes është i rëndë: pesë persona kanë humbur jetën, ndërsa pesë të tjerë janë plagosur. Tre prej të plagosurve raportohet se ndodhen në gjendje kritike.
Aksidenti i dytë i rëndë për Amazon Air
Kjo është ngjarja e dytë serioze që përfshin Amazon Air. Në shkurt të vitit 2019, një avion mallrash që udhëtonte nga Miami drejt Hjustonit u rrëzua në një zonë moçalore në Teksas. Tre personat që ndodheshin në bord humbën jetën.
Sipas përfundimeve të hetimit për atë rast, faktori njerëzor luajti një rol të rëndësishëm në aksident, pasi bashkëpiloti humbi orientimin hapësinor dhe avioni hyri në një zbritje të fortë.
Amazon Air është pjesë e rrjetit logjistik të Amazon dhe shërben për transportin ajror të pakove. Kompania operon qindra fluturime në ditë dhe përdor një flotë prej rreth 100 avionësh të marrë me qira për transportin e mallrave në destinacione të ndryshme.
Kompania u krijua në vitin 2015 me emrin Prime Air, ndërsa dy vite më vonë mori emrin Amazon Air, për t’u dalluar nga shërbimi i shpërndarjes me dronë të Amazon, i cili vazhdon të quhet Prime Air.
Aksidenti i fundit ka rikthyer gjithashtu në vëmendje historinë e incidenteve të rënda në aeroportin e Miamit. Në gusht të vitit 1997, një avion mallrash i kompanisë Fine Air u rrëzua gjatë ngritjes dhe përfundoi jashtë zonës së aeroportit, duke kaluar edhe në një autostradë të frekuentuar. Atëherë humbën jetën pesë persona.
