Protestat e studentëve dhe shoqërimi i të miturve në komisariate kanë bërë që drejtuesit e Policisë së Tiranës të nxjerrin një shkresë urgjente, përmes së cilës u kërkohet efektivëve të zbatojnë me rigorozitet procedurat ligjore gjatë ndërhyrjeve policore.
Dokumenti, i cilësuar “Tepër urgjent”, u është dërguar komisariateve të kryeqytetit dhe atij të Krujës. Shkresa mban firmën e zv/drejtorit për Sigurinë Publike, kryekomisar Edmond Meshini, dhe vjen pas zhvillimeve të fundit gjatë protestave të studentëve.
Në të theksohet domosdoshmëria e respektimit të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, veçanërisht në rastet kur të rinjtë shoqërohen në ambientet e policisë.
Një ndër çështjet kryesore të ngritura në dokument është menaxhimi i rasteve që përfshijnë të mitur. Strukturave policore u kërkohet të bashkëpunojnë me Bllokun e Sigurisë për marrjen e masave të nevojshme, me synim uljen e numrit të të miturve që mbahen në këto ambiente dhe transferimin e tyre në hapësira të tjera, në përputhje me kapacitetet dhe parashikimet ligjore.
Vëmendje e posaçme i kushtohet edhe mënyrës së ndërhyrjes gjatë protestave. Efektivëve u kërkohet të njihen me aktet ligjore që përcaktojnë kushtet dhe kufijtë e përdorimit proporcional të forcës, përfshirë përdorimin e gazit lotsjellës.
Shkresa përcakton gjithashtu kufizime lidhur me kontrollin e telefonave celularë. Sipas udhëzimeve, kontrolli i pajisjeve dhe kërkimi i fjalëkalimeve nuk duhet të bëhen pa bazën e nevojshme ligjore dhe urdhrin gjyqësor, kur ky kërkohet.
Për rastet që përfshijnë të mitur, kërkohet respektimi i procedurave përkatëse, përfshirë praninë e prindit ose kujdestarit dhe të psikologut, si dhe plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm përpara marrjes në pyetje.
Një tjetër kërkesë lidhet me sigurimin e kamerave në ambientet ku personat shoqërohen dhe intervistohen. Për këtë qëllim, policia duhet të bashkëpunojë me strukturat e teknologjisë së informacionit, ndërsa pamjet filmike duhet të ruhen deri më 19 tetor 2026.
Në fund, dokumenti nënvizon rëndësinë e identifikimit të punonjësve të policisë gjatë shërbimit. Efektivët duhet të jenë lehtësisht të identifikueshëm, ndërsa automjetet e përdorura gjatë operacioneve policore duhet të kenë numrat përkatës të identifikimit.
