Rama për “Kathimerini”: Qeveritë ndryshojnë përmes zgjedhjeve, jo me dhunë
Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për gazetën e njohur greke “Kathimerini”, ka komentuar protestat e fundit në Shqipëri, duke theksuar se ndryshimi i qeverisë në një demokraci duhet të bëhet përmes zgjedhjeve dhe jo përmes akteve të dhunës.
Rama u shpreh se qytetarët shqiptarë i kanë dhënë një mandat të qartë në zgjedhjet e vitit të kaluar dhe se synon ta përmbushë atë. Ai theksoi se kërkesa për dorëheqjen e tij është pjesë e demokracisë, por kundërshtoi çdo përpjekje për ta imponuar atë përmes dhunës.
“Çdokush mund të kërkojë dorëheqjen time; kjo është pjesë e jetës demokratike. Askush nuk ka të drejtë ta imponojë atë me dhunë”, deklaroi Rama, duke shtuar se përgjegjësia e tij është të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve, të mbrojë të drejtat e tyre dhe të vijojë punën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë intervistës, kryeministri bëri dallimin mes studentëve që protestojnë për një të ardhme më të mirë dhe personave që, sipas tij, përdorin dhunën gjatë demonstratave. Ai pretendoi se disa prej këtyre individëve janë të lidhur me lëvizjen Antifa.
“Ekziston një vijë e qartë ndarëse midis studentëve që duan një të ardhme më të mirë dhe grupeve të mbuluara me kapuçë, përfshirë njerëz që i kam lidhur me lëvizjen Antifa, të cilët hedhin kokteje molotov, sulmojnë ndërtesa publike dhe dëmtojnë pronën private”, u shpreh Rama.
Ai theksoi gjithashtu se lufta kundër korrupsionit është përgjegjësi e institucioneve të drejtësisë dhe jo e grupeve që, sipas tij, përdorin dhunën për të pretenduar se përfaqësojnë të rinjtë.
Sa i përket shqetësimeve të studentëve për arsimin, rritjen e kostos së jetesës dhe mungesën e mundësive, Rama iu referua buxhetit të vitit 2027, i cili, sipas tij, do të përfshijë masa shtesë për familjet, shërbimet publike dhe studentët.
Kreu i qeverisë u shpreh gjithashtu i gatshëm për dialog me studentët dhe mësuesit, duke theksuar se është i hapur për të shqyrtuar propozime konkrete, edhe nga kritikët e tij më të ashpër.
“Nuk kam pretenduar kurrë se gjithçka në Shqipëri është bërë mirë”, deklaroi Rama, duke përsëritur qëndrimin e tij se dhuna nuk është rruga për të ardhur në pushtet.
