Plagoset me armë avokati në Durrës, autori largohet nga vendi i ngjarjes
Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja me armë zjarri e ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr. 1 të Durrësit. I plagosur ka mbetur avokati Elton Shllaku, 52 vjeç.
Sipas të dhënave paraprake të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30. Një 61-vjeçar, i identifikuar me inicialet F. F., banues në Durrës, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj avokatit pas një konflikti për motive të dobëta.
Shllaku ka marrë një plagë në dorë dhe, sipas autoriteteve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas të shtënave, autori dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po vijon kontrollet në zonë me qëllim kapjen e tij.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave që çuan në plagosjen me armë.
