Skip to content

Kush është gjyqtari amerikan Charles Smith që dënoi me 81 vite burg ish-krerët e UÇK-së?

Kush është Charles L. Smith III, gjyqtari amerikan që kryesoi procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së?

 

Charles L. Smith III është gjyqtari amerikan që drejtoi trupin gjykues në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ai ishte gjithashtu gjyqtari që lexoi aktgjykimin ndaj tyre.

 

Smith u emërua gjyqtar në Dhomat e Specializuara më 7 shkurt 2017, ndërsa që nga 29 prilli 2020 mban edhe detyrën e nënkryetarit të këtij institucioni.

 

Përvoja e tij në drejtësinë e Kosovës

 

Angazhimi i gjyqtarit amerikan në sistemin e drejtësisë në Kosovë nisi përpara krijimit të Dhomave të Specializuara. Nga viti 2010 deri në vitin 2013, ai shërbeu si gjyqtar në kuadër të EULEX-it, ndërsa nga viti 2011 deri në vitin 2013 ishte edhe pjesë e Gjykatës Supreme të Kosovës.

 

Gjatë punës së tij në EULEX, Smith mbajti fillimisht postin e nënkryetarit dhe më pas atë të kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve.

 

Karriera në sistemin amerikan të drejtësisë

 

Para angazhimit në Kosovë, Charles L. Smith III kishte ndërtuar një karrierë të gjatë në drejtësinë amerikane. Në vitin 1990, ai u emërua gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Distriktin e Katërt Gjyqësor të shtetit Iowa.

 

Nga viti 1996 deri në vitin 2010, shërbeu si kryegjyqtar i këtij distrikti dhe ishte anëtar i Këshillit Gjyqësor të Iowas.

 

Smith përfundoi studimet për drejtësi në Universitetin Creighton, ku mori gradën Juris Doctor në vitin 1970. Po atë vit u pranua në Odën e Avokatëve të Nebraskës, ndërsa në vitin 1971 edhe në atë të Iowas.

 

Që nga viti 2014, ai ka ushtruar gjithashtu funksionet e ndërmjetësuesit dhe arbitrit.

 

Rastet e tjera në Hagë

 

Përveç procesit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, Smith ka kryesuar edhe trupin gjykues në çështjen ndaj ish-drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

 

Krahas detyrës së nënkryetarit të Dhomave të Specializuara, ai ushtron edhe funksionin e gjyqtarit të lartë për ankesat e personelit.

Published inNews Shqip