Wesley Clark kritikon vendimin e Hagës: “Jam i shokuar dhe i zemëruar, nuk pashë prova që justifikojnë dënimin”
Gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila dënoi me gjithsej 81 vite burg katër ish-krerët e UÇK-së.
Në një intervistë për emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Clark u shpreh i tronditur dhe i zemëruar nga vendimi, duke theksuar se gjatë dëshmisë së tij në gjyq nuk kishte parë prova që, sipas tij, të justifikonin një dënim të tillë.
“Jam i shokuar dhe i zemëruar. E njoh Hashim Thaçin dhe bashkëluftëtarët e tij. Kam dëshmuar në gjyq për atë që kam parë dhe për atë që po ndodhte në Kosovë, si dhe për bashkëpunimin tonë me UÇK-në. Nuk kam parë asnjë dëshmi që të justifikojë këtë lloj vendimi”, deklaroi Clark.
Ai shtoi se vendimi i gjykatës do të sjellë një periudhë të vështirë për të ardhmen.
I pyetur nëse kishte përputhje mes konstatimeve të gjyqtarëve dhe asaj që ai kishte përjetuar gjatë luftës, gjenerali amerikan foli për rolin e Hashim Thaçit dhe përpjekjet për mbrojtjen e popullsisë civile serbe.
Clark theksoi se konflikti në Kosovë ishte një rebelim kundër një regjimi autoritar, duke përmendur edhe krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga individë serbë.
Sipas tij, gjatë luftës kishte tensione të forta mes komuniteteve, përfshirë ndjenjën e tradhtisë te shqiptarët ndaj fqinjëve të tyre serbë, me të cilët kishin jetuar për vite me radhë.
Duke iu referuar përvojës së tij, Clark tha se Thaçi kishte luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e popullsisë së pafajshme serbe.
“Kam pasur shqetësime për të ardhmen, por nuk mund të thosha se Thaçi ishte dikush që duhej të dënohej për krime lufte”, përfundoi gjenerali i NATO-s.
