Policia pezullon efektivin që goditi protestuesin, nis hetimi disiplinor
Policia e Shtetit ka reaguar pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku një efektiv shfaqet duke goditur me grusht një person të shoqëruar gjatë protestës së zhvilluar sot në Rrugën e Durrësit, në Tiranë.
Pas publikimit të pamjeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të efektivit me inicialet J. H.
Efektivi, me gradën inspektor, është pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Përveç pezullimit, është urdhëruar edhe nisja e një hetimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale. Hetimi lidhet me dyshimet për përdorim të paligjshëm dhe të pajustifikuar të forcës, si dhe për veprime që mund të dëmtojnë figurën e punonjësit të policisë dhe institucionit.
Në reagimin zyrtar, Policia e Shtetit thekson se nuk do të tolerojë shkeljet e ligjit dhe standardeve profesionale nga punonjësit e saj.
Tashmë, hetimi do të shqyrtojë rrethanat e incidentit dhe përgjegjësinë e efektivit, ndërsa në vijim priten edhe vendime të tjera në varësi të rezultateve të procedurës disiplinore.
