SHBA reagon pas aktgjykimit të Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit deklaroi për “Radion Evropa e Lirë” se Uashingtoni e respekton vendimin e gjykatës.
“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, u shpreh zëdhënësi.
Departamenti i Shtetit theksoi se SHBA-ja vazhdon të mbështesë drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre, si dhe parimet e llogaridhënies, procesit të rregullt ligjor dhe sundimit të ligjit.
Në reagimin e tij, Uashingtoni u bëri thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës dhe të shmangin deklaratat apo retorikën që mund të nxisë tensione.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit.
