Skip to content

“Jam i shokuar dhe i zemëruar” / Gjenerali i NATO-s reagon për dënimin e krerëve të UÇK-së

Gjenerali amerikan Wesley Clark ka komentuar në një dalje televizive vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj aktgjykimit.

Clark tha se është i tronditur nga vendimi dhe deklaroi se, bazuar në atë që ka parë dhe ka dëshmuar gjatë procesit gjyqësor, nuk ka hasur prova që, sipas tij, ta justifikojnë një vendim të tillë.

Ai theksoi se e njeh Hashim Thaçin dhe figura të tjera të UÇK-së, ndërsa kujtoi edhe dëshminë e tij në gjykatë dhe kontaktet që kishte pasur me Thaçin gjatë luftës në Kosovë dhe në Rambuje.

“Jam i shokuar dhe i zemëruar. Unë e njoh Thaçin dhe shokët e tij dhe të gjithë ata që kanë bërë luftën. Kam dëshmuar në gjyq dhe kam thënë atë që kam parë. E dija se çfarë po ndodhte në Kosovë dhe për bashkëpunimin tonë me UÇK-në. Nuk kam parë asnjë dëshmi që ta justifikojë këtë lloj vendimi”, deklaroi Clark.

Duke folur për periudhën e luftës, gjenerali amerikan e përshkroi konfliktin në Kosovë si një rebelim kundër një regjimi autoritar dhe foli edhe për krimet e kryera ndaj popullatës shqiptare.

Clark tha gjithashtu se gjatë asaj periudhe kishte tensione të forta mes komuniteteve dhe se, sipas tij, Thaçi kishte luajtur rol në përpjekjet për mbrojtjen e popullatës civile serbe.

“Kam pasur shqetësime për atë që mund të ndodhte më tej, por nuk mund të thosha se Thaçi ishte dikush që duhej të dënohej për krime lufte”, u shpreh Wesley Clark.

Ai shtoi se vendimi i Gjykatës Speciale do të pasohet nga një proces i vështirë ligjor, ndërsa mbrojti qëndrimin që kishte paraqitur gjatë dëshmisë së tij në gjykatë.

Published inNews Shqip