Futbolli shqiptar në zi, ndahet nga jeta ish-futbollisti i Vllaznisë dhe Kombëtares
Është ndarë nga jeta në moshën 97-vjeçare Esat Bushati, ish-futbollist i Vllaznisë, Partizanit dhe Kombëtares shqiptare. Lajmi është bërë i ditur nga KF Vllaznia, e cila ka shprehur ngushëllimet për familjarët dhe të afërmit e tij.
Bushati ka qenë pjesë e rëndësishme e futbollit shkodran gjatë viteve ’40-’60, duke kontribuar për fanellën kuqeblu. Gjatë karrierës së tij ai ka luajtur edhe me Partizanin, ndërsa ka përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Klubi shkodran e ka kujtuar Bushatin si një prej mbrojtësve të spikatur të brezit të tij dhe ka vlerësuar kontributin e dhënë ndër vite për futbollin shqiptar.
Homazhet në nderim të Esat Bushatit do të zhvillohen ditën e premte, nga ora 10:00 deri në 12:00, në hollin e stadiumit “Loro Boriçi”.
KF Vllaznia ka përcjellë edhe një mesazh ngushëllimi për familjen dhe komunitetin sportiv, duke e përshëndetur figurën e ish-futbollistit me fjalët: “I përjetshëm qoftë kujtimi yt, Esat Bushati!”
