Nafta shtrenjtohet në Shqipëri, çmimi arrin në 218 lekë për litër
Bordi i Transparencës ka vendosur rritjen e çmimit të naftës në Shqipëri, duke përcaktuar tarifat e reja që do të zbatohen nga pasditja e së premtes, 30 tetor.
Sipas vendimit të fundit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për naftën do të jetë 218 lekë për litër, ndërsa ky vendim hyn në fuqi nga ora 15:00.
Shtrenjtimi vjen pas një uljeje të lehtë prej një leku që ishte bërë një ditë më parë, kur nafta kishte zbritur në 212 lekë për litër, nga 213 lekë që ishte shitur që prej 14 tetorit.
Me këtë rritje, çmimi i naftës po i afrohet nivelit prej 220 lekësh për litër, pragut në të cilin, sipas përcaktimeve të qeverisë, parashikohet ndërhyrja për uljen e akcizës.
Ndërkohë, për benzinën, standardi SSH EN, është vendosur një çmim maksimal prej 179 lekësh për litër.
Tarifat e reja do të jenë në fuqi deri në mbledhjen e radhës së Bordit të Transparencës, ku do të shqyrtohet situata e tregut dhe mundësia e ndryshimit të mëtejshëm të çmimeve.
