Skip to content

Lajm i keq për shoferët, pritet rritje e çmimeve të makinave, ndryshojnë vlerat në doganë

Administrata Doganore Shqiptare ka prezantuar manualin e ri për vlerësimin e automjeteve të përdorura gjatë procedurave të zhdoganimit, duke sjellë disa ndryshime në mënyrën e përcaktimit të vlerës doganore.

Rregullat e reja vlejnë vetëm për automjetet e prodhuara gjatë 10 viteve të fundit dhe zbatohen në rastet kur nuk është e mundur të përdoret metoda e vlerës së transaksionit apo metodat e tjera standarde të përcaktuara në Kodin Doganor.

Një nga ndryshimet kryesore është përfshirja e kilometrazhit në procesin e vlerësimit. Përveç markës, vitit të prodhimit, cilindratës dhe llojit të karburantit, dogana do të marrë parasysh edhe numrin e kilometrave të përshkuar nga automjeti.

Kjo do të thotë se dy automjete me karakteristika të njëjta teknike mund të kenë vlera të ndryshme doganore, në varësi të kilometrazhit të tyre në momentin e importit.

Në rastet kur metodat e para të vlerësimit, nga e para deri te e pesta, nuk mund të aplikohen, Administrata Doganore mund t’u referohet çmimeve reale të publikuara në buletine dhe burime të specializuara online. Adresat e këtyre burimeve janë përcaktuar në manualin e ri.

Manuali ka një fushë të kufizuar zbatimi dhe vlen vetëm për automjetet e prodhuara brenda 10 viteve të fundit. Për makinat më të vjetra se 10 vjet, mënyra e vlerësimit doganor mbetet e pandryshuar.

Ndryshimet synojnë të ofrojnë një mënyrë më të detajuar për përcaktimin e vlerës së automjeteve të përdorura gjatë procesit të zhdoganimit.

Published inNews Shqip