Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e Artan Myrtajt, ngjarje e rëndë që tronditi mëngjesin e sotëm Sarandën.
Pak minuta para atentatit, 44-vjeçari ndodhej në një lokal pranë kryqëzimit te ish-agjencia e vjetër, ku po pinte kafe. Sipas dëshmive të banorëve, në zonë janë shfaqur dy persona që lëviznin me motor dhe dyshohet se ishin të armatosur e të maskuar me skafandra.
Një prej dëshmitarëve ka treguar se Myrtaj, pasi kishte kuptuar situatën pas të shtënave të para, tentoi të largohej me vrap, por autorët e ndoqën dhe hapën zjarr në drejtim të tij.
“U ul për të pirë kafenë dhe më pas u ngrit për t’u larguar. Brenda pak minutash u dëgjua goditja e parë. Ai e kuptoi situatën dhe tentoi të largohej me vrap”, ka deklaruar dëshmitari.
Sipas raportimeve paraprake, autorët kanë qëlluar rreth gjashtë herë në drejtim të Myrtajt. Plumbat rezultuan fatalë për 44-vjeçarin, ndërsa mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, Xhevdet Skëndaj, i cili nuk kishte lidhje me ngjarjen.
Një tjetër banore e zonës ka treguar se ndodhej brenda banesës kur dëgjoi të shtënat.
“Dëgjuam thuajse gjashtë të shtëna. Viktima ishte i lagjes dhe e njihnim”, ka rrëfyer ajo.
Pas atentatit, autorët janë larguar me motor dhe vijojnë të jenë në kërkim. Policia ka ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës, ndërsa po vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Xhevdet Skëndaj, i cili mbeti i plagosur nga të shtënat, është transportuar me helikopter nga Saranda drejt Tiranës për të marrë trajtim më të specializuar.
Ngjarja është bërë edhe më e rëndë pasi në momentin e atentatit në zonë ndodhej edhe nëna e Artan Myrtajt. Banorët e Sarandës janë shprehur të tronditur nga ngjarja dhe kanë treguar për momentet e fundit para se 44-vjeçari të qëllohej për vdekje.
