Aktivisti Krenar Ahmeti ka komentuar zhvillimet e fundit politike gjatë protestës së 116-të kundër qeverisë, duke përdorur metaforën e shahut për të përshkruar situatën politike në vend.
Në fjalën e tij para Kryeministrisë, Ahmeti tha se protestuesit kanë synuar të ndërkombëtarizojnë, sipas tij, situatën në Shqipëri. Duke iu referuar zhvillimeve të fundit, ai përdori shprehjen “marrja e mbretëreshës” dhe deklaroi se tashmë, sipas tij, “radhën e ka” kryeministri Edi Rama.
“Para dy ditësh ia morëm edhe mbretëreshën. Ju kujtuat se ishte Balluku mbretëresha. Ju thashë: kjo ishte mbretëresha, mbretëresha e zezë e fushës së këtij shahu. Tani e ka radhën ai”, deklaroi Ahmeti.
Aktivisti ngriti gjithashtu shqetësime për funksionimin e institucioneve, duke përmendur SPAK-un si institucionin që, sipas tij, po funksionon. Ai tha se situata e sigurisë në vend është shqetësuese dhe u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë protestat.
Ahmeti deklaroi se qëndresa duhet të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të protestuesve, ndërsa dorëheqjen e kryeministrit e renditi si një prej kërkesave kryesore.
“Dilni në shesh për veten tuaj, mos hezitoni”, u shpreh ai.
Deklaratat u bënë gjatë protestës së 116-të kundër qeverisë, ku pjesëmarrësit vijuan të kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe përmbushjen e kërkesave të tyre.
