Durrës, nga 5 tetori nis parkimi me pagesë: Ja tarifat dhe oraret
Nga 5 tetori hyn në fuqi skema e re e parkimit me pagesë në rrugët dhe sheshet publike të Durrësit. Bashkia ka përcaktuar zonat, tarifat dhe oraret, ndërsa detajet e sistemit janë prezantuar nga nënkryetari i Bashkisë Durrës, Gentian Kallmi.
Parkimi do të ndahet në dy zona:
- Zona A: 100 lekë për orë
- Zona B: 40 lekë për orë
Gjatë periudhës nga 1 tetori deri më 31 maj, parkimi me pagesë do të zbatohet nga e hëna në të premte, nga ora 08:00 deri në 16:00. Pas orës 16:00, si dhe gjatë fundjavës, parkimi në rrugë do të jetë pa pagesë.
Ndërsa gjatë sezonit veror, nga 1 qershori deri më 30 shtator, parkimi me pagesë do të aplikohet çdo ditë, nga ora 08:00 deri në 20:00.
Abonim për banorët
Banorët e rrugëve ku zbatohet parkimi me pagesë do të mund të përfitojnë një abonim vjetor për një automjet, me kosto 10 mijë lekë.
Për hapësirat publike të miratuara mes pallateve, rezidentët mund të pajisen pa pagesë me vërtetim parkimi.
Aplikimi bëhet pranë Njësisë Administrative ku qytetari ka vendbanimin. Pas verifikimit të dokumentacionit, abonimi ose vërtetimi lëshohet brenda pesë ditësh dhe duhet të vendoset në një pozicion të dukshëm në automjet.
Tarifimi në sheshe
Skema e re përfshin edhe sheshet “Jorgji Ziu”, “Vollga” dhe hapësirën e parkimit pranë Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”.
Në këto pika, tarifat nisin nga 100 lekë për qëndrime deri në dy orë dhe arrijnë deri në 500 lekë për qëndrime nga 12 deri në 24 orë. Pagesa do të kryhet me kartë bankare përmes POS-it.
Me nisjen e sistemit të ri është pezulluar edhe dhënia e lejeve vjetore të parkimit për subjektet në rrugët e përcaktuara si zona me pagesë. Për hapësirat mes pallateve, parkimi për rezidentët do të nisë pas vendosjes së sinjalistikës përkatëse.
Sipas Bashkisë së Durrësit, synimi i skemës është organizimi më i mirë i parkimit, reduktimi i parkimeve të parregullta dhe përmirësimi i qarkullimit në qytet.
Ndërkohë, Bashkia po shqyrton edhe zgjerimin e kapaciteteve të parkimit, përfshirë hapësirën pranë Portit të Durrësit, projektin për një parkim nëntokësor në sheshin e Mauzoleumit të Dëshmorëve dhe zgjerimin e hapësirës së parkimit pranë shëtitores “Taulantia”.
