Zbardhen komunikimet e pretenduara mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, çfarë thuhet në dosjen e SPAK
Pjesë nga dosja hetimore e SPAK kanë nxjerrë në publik komunikime të shumta të pretenduara mes ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, dhe Ergys Agasit, i cili në atë periudhë ishte shpallur në kërkim nga drejtësia.
Sipas të dhënave të cituara në dosjen hetimore, komunikimet janë zhvilluar përmes aplikacionit të enkriptuar Signal. Për periudhën nga 28 qershori deri më 26 gusht 2026, në telefonin e Agasit janë evidentuar gjithsej 508 forma komunikimi, përfshirë telefonata, video-thirrje dhe mesazhe.
Sipas SPAK, përmbajtja e komunikimeve tregon një marrëdhënie personale dhe të vazhdueshme mes Hysenit dhe Agasit, e cila ka vijuar edhe gjatë kohës kur ky i fundit ishte në kërkim.
Në pjesë të dosjes të bëra publike, prokuroria pretendon se Hyseni shfaqet e interesuar për situatën e Agasit dhe përdor shprehje si: “Krejt këta njerëz që na kanë bërë çka na kanë bërë dua që të paguajnë”, ndërsa në një tjetër komunikim shkruan se duhet të fokusohen te “halli” i tij.


Një tjetër pjesë e komunikimeve lidhet me takimet e Hysenit në kuadër të detyrës së saj. Sipas dosjes së cituar nga mediat, ajo i ka treguar Agasit se do të takohej me kryeministrin Edi Rama dhe se nuk do të qëndronte gjatë në takim. Në një tjetër mesazh përmendet edhe një takim i planifikuar me kryeministrin në orën 08:30.
Në komunikimet e bëra publike përmenden gjithashtu emra të tjerë të politikës shqiptare. Sipas SPAK, Hyseni i ka dërguar Agasit informacionin: “Taulant Balla kryetar Kuvendi… Kështu janë infot… Bela me Taon shoku”, duke iu referuar Taulant Ballës dhe Belinda Ballukut.
Prokuroria e Posaçme vlerëson në dosje se këto komunikime tregojnë, sipas saj, jo vetëm një marrëdhënie personale, por edhe një identifikim të Hysenit me interesat e Agasit gjatë kohës që ai ishte në kërkim. Këto janë vlerësime të organit të akuzës dhe do të jenë pjesë e procesit gjyqësor.
Ndërkohë, GJKKO ka caktuar për 24 shtator marrjen në pyetje të Hysenit, në orën 12:00. Ajo ndodhet nën masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, ndërsa ndaj saj po zhvillohet hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal, sipas njoftimit të gjykatës.
Në të njëjtin procedim janë nën hetim edhe persona të tjerë, ndërsa çështja vijon të jetë në fazën e hetimit dhe akuzat ndaj personave nën hetim nuk përbëjnë vendim përfundimtar gjyqësor.
