Familjet e Thaçit, Veselit dhe Krasniqit refuzojnë takimin me Haxhiun: “Presim të takohemi pas vendimit të Kuvendit”
Familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit kanë refuzuar ftesën për takim nga ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Lajmi është bërë i ditur nga Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, përmes një postimi në Facebook.
Në deklaratën e përbashkët, familjet shprehen mirënjohëse ndaj qytetarëve të Kosovës për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar gjatë procesit gjyqësor në Hagë.
Ata theksojnë se presin përgjegjësi institucionale dhe respektim të Kushtetutës dhe ligjit nga institucionet e Kosovës në raport me Dhomat e Specializuara.
Sa i përket ftesës së Haxhiut, familjet deklarojnë se preferojnë që takimi të zhvillohet pas vendimit të Kuvendit, me synimin për të shmangur çdo keqkuptim të mundshëm rreth ndikimit të familjarëve në vendimmarrjen institucionale.
“E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, thuhet në deklaratë.
