Afati për zgjedhjen e Presidentit po afrohet, Vetëvendosje kërkon intensifikim të takimeve
Me afrimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, partitë politike pritet t’u rikthehen bisedimeve për gjetjen e një zgjidhjeje. Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se takimet ndërmjet subjekteve politike janë të domosdoshme dhe se ditët e mbetura duhet të shfrytëzohen për të arritur një marrëveshje për një kandidat konsensual.
Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, deklaroi për Ekonomia Online se partia e tij nuk e përjashton mundësinë e intensifikimit të takimeve gjatë ditëve në vijim. Sipas tij, për arritjen e një marrëveshjeje nevojitet vullnet politik nga të gjitha partitë.
Rrustemi rikujtoi edhe marrëveshjen e mëparshme me LDK-në për një kandidat konsensual për President, e cila, sipas tij, nuk u realizua për shkak të kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së.
“Ne kemi ftuar vazhdimisht për takime e bashkëpunim. Ju kujtoni që na kanë refuzuar, sidomos PDK-ja dhe Aleanca, nuk kanë marrë pjesë në asnjë takim. Me LDK-në patëm arritur një marrëveshje me të gjitha ato vështirësi për një emër konsensual që u prish e u pamundësua nga gjashtë deputetë të LDK-së”, tha Rrustemi.
Ai shtoi se Vetëvendosje do të vazhdojë të kërkojë takime, duke theksuar se koha në dispozicion është e kufizuar.
“Gjithsesi do të ketë ftesa për takime, janë të domosdoshme takimet, duhet t’i intensifikojmë sepse kemi shumë pak ditë në dispozicion. Këto ditë janë për ta zgjedhur Presidentin dhe pastaj për t’u ulur dhe për të kryer punë të tjera dhe detyrime të tjera që kemi si shtet ndaj qytetarëve, por edhe ndaj interesave të Kosovës”, u shpreh ai.
I pyetur nëse LVV-ja do të ishte e gatshme të mbështeste një kandidat konsensual dhe jo partiak për postin e Presidentit, Rrustemi tha se kjo ka qenë qasja e partisë së tij.
“Gjithmonë kemi qenë për një emër konsensual si Lëvizje Vetëvendosje. Unë besoj që zgjidhja është një emër konsensual, është e domosdoshme kjo”, deklaroi ai.
Rrustemi kritikoi edhe qëndrimin e PDK-së dhe Aleancës, duke thënë se mungesa e bashkëpunimit mes partive mund ta vështirësojë gjetjen e një zgjidhjeje.
Deputeti i LVV-së foli edhe për pasojat e mundshme të moszgjedhjes së Presidentit dhe shkuarjes në zgjedhje të reja. Ai tha se një situatë e tillë, sipas tij, do të ndikonte në funksionimin e institucioneve dhe në trajtimin e çështjeve me interes për Kosovën, përfshirë ato që lidhen me Gjykatën Speciale në Hagë.
“Si mund të merren seriozisht shumë prej kërkesave e nismave, nëse ne nuk e zgjedhim Presidentin e Republikës dhe futemi në zgjedhje brenda 12 ditëve? Dhe pastaj kemi 45 ditë fushatë duke goditur njëri-tjetrin, duke akuzuar njëri-tjetrin. Kështu nuk i ndihmojmë as atyre që janë në Gjykatën e Hagës, kështu nuk i ndihmojmë as Kosovës, kështu nuk i ndihmojmë as qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Rrustemi.
Ai theksoi se deri tani nuk është diskutuar për ndonjë emër konkret për President, ndërsa tha se presin publikimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Vendimi i plotë nuk është publikuar ende, nuk është që kemi pasur takime dhe diskutime. Patëm mbledhje të Kryesisë së Kuvendit dhe uroj që të fillojnë të intensifikohen aktivitetet dhe veprimet për ta gjetur një zgjidhje. Nuk kemi folur, nuk jemi takuar për emër, por po flas se është shumë e rëndësishme vullneti politik”, deklaroi ai.
Rrustemi paralajmëroi se arritja e një marrëveshjeje mund të vështirësohet nëse partitë opozitare vazhdojnë të mbështesin idenë e zgjedhjeve të reja.
“Por nëse partitë politike opozitare mbesin në pozicionet e njëjta sikurse para 16 shtatorit për ta çuar vendin në zgjedhje të vazhdueshme, të përsëritura, me shpresë se e kufizojnë qeverisjen e Vetëvendosjes, atëherë do të jetë shumë e vështirë”, shtoi ai.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se Presidenti i ri i Kosovës duhet të zgjidhet jo më vonë se 6 tetori.
Në vendimin lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se më 8 gusht ka nisur të rrjedhë afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas Kushtetueses, përfundimi i afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit ka sjellë nisjen e afateve kushtetuese që lidhen me zgjedhjen e Presidentit.
