Çështja e Presidentit, partitë politike me qëndrime të ndryshme për hapat e ardhshëm
Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese sqaroi situatën aktuale politike, duke konstatuar se Kuvendi është konstituar dhe se formimi i Qeverisë së re nuk përbën shkelje kushtetuese. Me këtë vendim, u zhbllokua ngërçi i krijuar së fundmi dhe iu hap rrugë zhvillimeve të mëtejshme politike.
Hapi i radhës është zgjedhja e Presidentit të Republikës. Edhe për këtë çështje, Gjykata Kushtetuese ka dhënë sqarimet e saj, duke përcaktuar se Presidenti i ri duhet të zgjidhet deri më 6 tetor. Në të kundërtën, vendi mund të përballet me një tjetër proces zgjedhor.
Vendimi i Gjykatës ka nxitur reagime nga partitë politike, të cilat kanë shpalosur qëndrimet e tyre lidhur me zgjedhjen e Presidentit. Për këtë çështje ka folur edhe kryeministri dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kurti ka deklaruar se zgjedhjet e reja janë të panevojshme, duke argumentuar se një proces i ri zgjedhor nuk do të zgjidhte domosdoshmërisht çështjen e Presidentit.
“Duhet ta kuptojmë që në Kosovë nuk kemi zgjedhje presidenciale. Zgjedhjet e reja do të jenë sërish për Kuvend e për Qeveri dhe jo për President, pasi zgjedhja e Presidentit bëhet nga Kuvendi. Pse të shkojmë sërish në zgjedhje për të konstituuar sërish Kuvendin, i cili nuk arrin të zgjedhë President? Nuk duhet të shkojmë vazhdimisht në zgjedhje vetëm për të konstatuar rezultate të njëjta”, deklaroi Kurti.
Ndërkohë, lidhur me këtë çështje është deklaruar edhe Partia Demokratike e Kosovës. Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, ka thënë se zhvillimet e fundit kanë krijuar rrethana të reja politike, të cilat, sipas tij, kërkojnë edhe përshtatjen e qëndrimeve të partisë.
“Jemi në rrethana të reja. Jemi në rrethana të reja, jemi në gjendje të re, një gjendje që nuk ka të bëjë veç me të kaluarën, nuk ka të bëjë me individë, ka të bëjë me shtetin dhe ka të bëjë me të ardhmen e shtetit. Dhe mbi bazën e këtyre rrethanave të reja ne normalisht se i ndërrojmë edhe i përshtatim edhe qëndrimet tona për çështje të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen dhe me stabilitetin e shtetit”, ka deklaruar Hamza.
Ai gjithashtu ka shprehur gatishmëri për vazhdimin e takimeve me liderët e partive të tjera, me qëllim të diskutimit për çështjen e zgjedhjes së Presidentit.
Për këtë temë është deklaruar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi. Ai ka bërë të ditur se priten edhe takime të tjera me partitë politike, duke i cilësuar ato si të domosdoshme për tejkalimin e situatës.
Rrustemi ka përsëritur qëndrimin e VV-së se Presidenti duhet të jetë një kandidat konsensual.
“Gjithmonë kemi qenë për një emër konsensual si Lëvizje Vetëvendosje. Unë besoj që zgjidhja është një emër konsensual, është e domosdoshme kjo. Por PDK-ja dhe Aleanca refuzojnë që të bashkëpunojnë. Unë besoj që përsëri do ta kemi qasjen e njëjtë, konstruktive për të gjetur një emër konsensual dhe pastaj për të vazhduar secili në rolin e tij dhe të saj. Ata që janë në opozitë le ta luajnë rolin e opozitës, ne që jemi në mazhorancë të përmbushim detyrimet që na përkasin”, ka deklaruar Rrustemi.
Ndërkaq, Kuvendit i kanë mbetur edhe 10 ditë deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e Presidentit të ri. Nëse ky proces nuk përmbyllet brenda afatit të përcaktuar, Kosova mund të përballet me një tjetër proces zgjedhor.
