Tentativë për të hapur një varr në Lezhë, policia nis hetimet
Një ngjarje e pazakontë është raportuar në Tale të Lezhës, ku persona ende të paidentifikuar kanë tentuar të hapin varrin e një personi që kishte ndërruar jetë vetëm pak muaj më parë.
Dëmtimet në pllakën prej betoni u konstatuan nga një familjar, i cili më pas ka bërë kallëzim në polici. Pas denoncimit, materialet janë referuar në Prokurorinë e Lezhës, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas të dhënave paraprake, autorët kanë tentuar të dëmtojnë dhe të hapin pllakën e varrit për të depërtuar në pjesën ku ndodhej arkivoli. Përpjekja nuk ka përfunduar, pasi arkivoli ishte i mbyllur hermetikisht.
Ende nuk dihet me siguri qëllimi i personave që kanë kryer veprimin. Ndërkohë, po punohet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motivit të kësaj ngjarjeje, e cila ka shkaktuar shqetësim te familjarët dhe banorët e zonës.
