Kryeministri Edi Rama ka komentuar ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, duke u ndalur veçanërisht te rregullat që lidhen me sekuestrimin dhe kontrollin e pajisjeve elektronike, përgjimet dhe administrimin e të dhënave të siguruara gjatë hetimeve.
Rama sqaroi se policia dhe prokuroria do të kenë të drejtë të sekuestrojnë pajisje elektronike, por hapja dhe kontrolli i përmbajtjes së tyre do të kërkojë autorizim gjyqësor. Sipas tij, edhe në raste urgjente, ndërhyrja duhet të jetë e parashikuar nga ligji dhe më pas t’i nënshtrohet kontrollit të gjykatës. Materialet e siguruara pa autorizimin përkatës nuk duhet të përdoren në procedim.
Sa i përket përgjimeve, kryeministri tha se në materialet e hetimit duhet të përfshihen vetëm bisedat që kanë lidhje me çështjen, duke përfshirë edhe ato që mund të jenë në favor të personit nën hetim.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes së jetës private, duke argumentuar se të dhënat personale të individëve që nuk kanë lidhje me veprën penale nuk duhet të shërbejnë si mjet presioni apo të publikohen në media.
Rama u shpreh se marrja në pyetje dhe veprimet kryesore procedurale do të regjistrohen me audio dhe video, me qëllim dokumentimin e mënyrës se si zhvillohen këto procedura. Ai nënvizoi se deklarimet e marra përmes presionit apo dhunës nuk duhet të kenë vlerë në proces.
Sipas tij, ndryshimet synojnë të forcojnë mbrojtjen e privatësisë në kushtet e zhvillimit teknologjik. Përmbajtja e një pajisjeje të sekuestruar nuk mund të kontrollohet në mënyrë të pakufizuar dhe çdo material që nuk ka lidhje me hetimin duhet të përjashtohet dhe të asgjësohet, sipas procedurave ligjore.
Kryeministri u ndal edhe te parimi i prezumimit të pafajësisë, duke argumentuar se ai duhet të respektohet edhe jashtë sallës së gjyqit. Sipas tij, publikimi i të dhënave dhe krijimi i një gjykimi publik përpara përfundimit të procesit gjyqësor nuk përputhen me parimet e drejtësisë.
Rama theksoi gjithashtu se hetimet e fshehta nuk duhet të kthehen në praktikë rutinë dhe se në gjykatë duhet të dërgohen çështje ku ekziston një bazë reale provash. Në këtë kuadër, prokurori, sipas tij, duhet të vlerësojë në mënyrë të balancuar si provat e akuzës, ashtu edhe ato që lidhen me mbrojtjen.
