Një aksident tragjik ajror është regjistruar këtë të diel pranë qytetit të Gundelsheim, në jugperëndim të Gjermanisë, ku një avion i vogël është rrëzuar dhe për pasojë kanë humbur jetën dy persona.
Sipas policisë, të dy viktimat ndodheshin në bord në momentin kur avioni u rrëzua. Pas përplasjes, mjeti fluturues është përfshirë nga flakët, ndërsa ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë menjëherë për të shuar zjarrin.
Ngjarja ndodhi pak para mesditës, në zonën e Gundelsheim, në rrethin e Heilbronn, në landin Baden-Württemberg.
Nga të dhënat paraprake bëhet e ditur se avioni ultra i lehtë po i afrohej një piste të vogël ajrore, kur për arsye që ende nuk janë bërë të ditura humbi kontrollin. Fillimisht u përplas me një gardh, më pas goditi një pemë dhe përfundoi i rrëzuar në një vresht.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e sakta të aksidentit.
