Arrestohet biznesmeni Valon Lluka, dyshohet për disa vepra penale
Biznesmeni Valon Lluka është ndaluar sot nga Policia e Kosovës, bëjnë të ditur burime të Klan Kosovës.
Për rastin ka reaguar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë. Zëdhënësja Kaltrina Shala ka konfirmuar se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një person me inicialet V.Ll., për një periudhë prej 48 orësh.
Sipas Prokurorisë, personi i ndaluar dyshohet për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë “Mashtrimin”, “Shpërdorimin e pasurisë së huaj”, “Keqpërdorimin e autorizimeve ekonomike” dhe “Lidhjen e kontratës së dëmshme”, të përcaktuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person me inicialet V.Ll., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprave penale ‘Mashtrimi’, ‘Shpërdorimi i pasurisë së huaj’, ‘Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike’, si dhe veprës penale ‘Lidhja e kontratës së dëmshme’”, ka deklaruar Shala.
Prokuroria ka bërë të ditur se prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të shqyrtojë edhe mundësinë e caktimit të ndonjërës prej masave të sigurimit ndaj personit të ndaluar.
Sipas raportimeve, dyshohet se ndalimi i biznesmenit ka ardhur pas një denoncimi të bërë nga biznesmeni Behgjet Pacolli.
Kujdes: Të gjitha pretendimet ndaj Valon Llukës janë në kuadër të dyshimeve dhe hetimeve. Përgjegjësia penale përcaktohet vetëm me vendim përfundimtar të gjykatës.
