Skip to content

Lajda Porja paralajmëron për motin e keq: Reshje të dendura dhe rrezik për përmbytje deri të martën!

Rikthehen reshjet e dendura në Shqipëri, Tanja Porja paralajmëron për përmbytje dhe dëborë

 

Reshjet e shiut rikthehen në territorin shqiptar, duke sjellë disa ditë me mot të paqëndrueshëm. Meteorologia Tanja Porja paralajmëron se reshjet do të vijojnë nga nata e sotme deri të martën e javës së ardhshme, ndërsa në disa zona ekziston rreziku i përmbytjeve urbane.

 

Sipas parashikimit të saj në A2 CNN, reshjet do të përfshijnë të gjithë vendin, por më të shpeshta pritet të jenë në veri dhe veriperëndim. Rrebeshe afatshkurtra parashikohen edhe në pjesë të tjera të territorit, ndërsa jugu mund të përfshihet herë pas here nga intensifikimi i reshjeve.

 

“Gjatë natës sonte, ditën e nesërme, të shtunën, të dielën, të hënën dhe të martën tjetër, do të kemi reshje. Presim rrebeshe të shkurtra në të gjithë territorin shqiptar”, u shpreh Porja në emisionin “Dita Jonë”.

 

Lezha dhe Nënshkodra në rrezik nga përmbytjet urbane

 

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me intensitetin e reshjeve në zona të caktuara, veçanërisht në Lezhë dhe Nënshkodër, ku mund të krijohen përmbytje urbane.

 

Meteorologia sqaroi se rreziku lidhet kryesisht me sasinë e madhe të ujit që mund të bjerë brenda një kohe të shkurtër, duke vështirësuar përthithjen dhe largimin e tij.

 

“Rrezikohet nga përmbytje në zonat e Nënshkodrës dhe të Lezhës. Bëhet fjalë për përmbytje të natyrës urbane për shkak të sasisë së madhe të reshjeve në afate shumë të shkurtra kohore”, theksoi ajo.

 

Sipas Porjës, nuk bëhet fjalë për një rrezik të parashikuar nga dalja e lumenjve nga shtrati, por për probleme që mund të shkaktohen nga intensiteti i lartë i reshjeve.

 

Rënie e temperaturave, veriu përgatitet për reshjet e para të dëborës

 

Përveç shiut, ditët në vijim do të sjellin edhe ndryshime të ndjeshme të temperaturave. Veriu i Shqipërisë pritet të ndikohet nga masa më të ftohta ajrore, ndërsa jugu dhe jugperëndimi do të mbeten nën ndikimin e masave të ngrohta dhe të lagështa mesdhetare deri të dielën.

 

Sipas parashikimit të meteorologes, nga e hëna pritet një rënie më e ndjeshme e temperaturave në të gjithë rajonin e Ballkanit.

 

E marta dhe e mërkura mund të sjellin reshjet e para të dëborës në zonat malore të veriut të Shqipërisë, në lartësitë rreth 1800–2000 metra mbi nivelin e detit.

 

“Dita e martë dhe e mërkura sjellin reshje dëbore në Ballkan. Dhe veriu shqiptar me reshjet e para të dëborës gjatë ditës së martë dhe të mërkurës”, paralajmëroi Porja.

 

Sipas saj, në zonën e rrezikut nga reshjet e dëborës përfshihen edhe pjesë të Malit të Zi dhe Kosovës.

 

Në ditët në vijim, qytetarët këshillohen të ndjekin përditësimet e parashikimit të motit, veçanërisht në zonat ku priten reshje intensive dhe ndryshime të ndjeshme të temperaturave.

Published inNews Shqip