Presidentja Justina Shiroka-Pula emëron stafin e kabinetit, ja kush do të jetë shefe dhe zëvendësshefe
Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka emëruar Berita Abazin në pozitën e shefes së stafit të kabinetit të saj. Abazi ka qenë më herët shefe e stafit të Albulena Haxhiut dhe është gjithashtu asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.
Në postin e zëvendësshefes së stafit është emëruar Donika Kavaja, e cila më parë ka bashkëpunuar me Shiroka-Pulën në Akademi.
Sipas raportimeve, Berita Abazi do të ketë kompetencën për të emëruar edhe pjesën tjetër të personelit të kabinetit, përfshirë asistentët dhe nëpunësit e tjerë.
Ndërkohë, nga dita e nesërme pritet t’i bashkohet ekipit edhe Bekim Kupina, ish-këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani. Sipas burimeve pranë ekipit të Albulena Haxhiut, Kupina pritet të marrë sërish detyrën e këshilltarit për media, këtë herë në kabinetin e Shiroka-Pulës.
Kupina është bashkëshorti i Vlora Konushevcit, këshilltares për media të Albulena Haxhiut, e cila, sipas raportimit, ka edhe lidhje familjare me të.
Emërimet e reja shënojnë hapat e parë në organizimin e ekipit që do të bashkëpunojë me presidenten e re gjatë ushtrimit të detyrës së saj.
